Subjektet zbatuese

Kush e zbaton Programin Erasmus+?

Programi Erasmus+ është themeluar nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Agjencia Ekzekutive e Arsimit, Audiovizuale dhe e Kulturës (Agjencia Ekzekutive), agjencitë kombëtare në vendet e programit dhe nga zyrat e Erasmus+ në vendet partnere siç është Kosova.

Zyra e Erasmus+ në Kosovë

Zyra e Erasmus+ në Kosovë (ZEK) ndihmon Komisionin, Agjencinë Ekzekutive dhe autoritetet lokale në zbatimin e Programit Erasmus+.

ZEK-u është pika qendrore për palët e interesit të përfshira në Programin Erasmus+ në fushën e arsimit të lartë, dhe kontribuon në përmirësimin e vetëdijes, dukshmërisë, rëndësisë, efektivitetit dhe ndikimit të dimensionit ndërkombëtar të programit Erasmus+.

Përgjegjësitë e ZEK-ut

Zyra e Erasmus+ në Kosovë është përgjegjëse për:

  • sigurimin e informatave në lidhje me aktivitetet e Erasmus+ në fushën e arsimit të lartë;
  • këshillimin dhe ndihmën për aplikantët e mundshëm;
  • monitorimin e projekteve Erasmus+;
  • koordinimin e ekipit lokal të Ekspertëve të Reformës së Arsimit të Lartë (ERAL);
  • monitorimin e trashëgimisë së Programit Tempus IV (2007-2013);
  • kontributet në studime dhe evente;
  • sigurimin e mbështetjes për dialogun e politikave;
  • mbajtjen e kontakteve me autoritetet lokale dhe delegacionet e BE;
  • përcjelljen e zhvillimeve të politikave në fushën e arsimit të lartë në vendin e tyre.

Komisioni Evropian

Komisioni Evropian mban përgjegjësinë përfundimtare për drejtimin e Programit Erasmus+. Ai, në baza të vazhdueshme, administron buxhetin dhe përcakton prioritetet, synimet dhe kriteret për programin. Për më tepër, ai udhëzon dhe monitoron zbatimin e përgjithshëm, përcjelljen dhe vlerësimin e Programit në nivelin Evropian. Komisioni Evropian gjithashtu mban përgjegjësinë e përgjithshme për mbikëqyrjen dhe koordinimin e strukturave përgjegjëse për zbatimin e Programit në nivel kombëtar.

Në nivelin evropian, Agjencia Ekzekutive e Arsimit, Audiovizuale dhe e Kulturës (Agjencia Ekzekutive) e Komisionit Evropian është përgjegjëse për zbatimin e veprimeve të centralizuara të Programit Erasmus+. Agjencia Ekzekutive është përgjegjëse për administrimin e plotë të ciklit jetësor të këtyre projekteve, që nga promovimi i programit, analizimi i kërkesave për grante, monitorimi i projekteve në vend, deri në shpërndarjen e rezultateve të projektit dhe programit. Është gjithashtu përgjegjëse për lansimin e thirrjeve specifike për propozime në lidhje me disa veprime të Programit të cilat nuk janë të mbuluara në këtë udhëzues.

Komisioni Evropian, veçanërisht përmes Agjencisë Ekzekutive, është gjithashtu përgjegjës për:

  • kryerjen e studimeve në fushat e mbështetura nga programi;
  • kryerjen e veprimtarive hulumtuese dhe të bazuara në dëshmi përmes rrjetit Eurydice;
  • përmirësimin e dukshmërisë dhe ndikimit sistemik të programit përmes shpërndarjes dhe shfrytëzimit të rezultateve të aktiviteteve të programit;
  • sigurimin e menaxhimit dhe financimit kontraktues të organeve dhe rrjeteve të mbështetur nga Programi Erasmus+;
  • menaxhimin e thirrjeve për tender për të ofruar shërbime brenda kornizës së programit.

Erasmus+ opportunities for staff and students